Indonesia është pranuar si anëtare e plotë në BRICS, njoftoi presidenca e grupit që aktualisht mbahet nga Brazili.
Kandidatura e Indonezisë u miratua nga liderët e BRICS në gusht të vitit 2023, por vendi më i populluar i Azisë Juglindore dhe vendi i katërt në botë për numrin më të lartë të popullsisë (282 milionë banorë), vendosi të bashkohej zyrtarisht vetëm pas formimit të qeverisë së re të zgjedhur vitin e kaluar.
Ministria e Punëve të Jashtme të Indonezisë deklaroi se ky hap reflekton rolin gjithnjë e më aktiv të vendit në çështjet globale dhe angazhimin e tij për forcimin e bashkëpunimit multilateral.
BRICS u krijua në vitin 2009 nga Brazili, Rusia, India dhe Kina, ndërsa Afrika e Jugut u bashkua në vitin 2010. Vitin e kaluar, aleanca u zgjerua duke përfshirë Iranin, Egjiptin, Etiopinë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Arabia Saudite është ftuar të bashkohet, por ende nuk e ka bërë këtë hap.
Kina, ekonomia e dytë më e madhe në botë, e përshëndeti ngrohtësisht Indonezinë. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Guo Jiakun, e cilësoi Indonezinë si një "vend të rëndësishëm të Jugut Global" që do të japë një kontribut pozitiv në zhvillimin e mekanizmit të BRICS.
Ndërkohë, vende si Turqia, Azerbajxhani dhe Malajzia kanë aplikuar zyrtarisht për të marrë statusin e anëtarëve, ndërsa disa vende të tjera kanë shprehur interes.
Organizata BRICS u krijua si një kundërpeshë ndaj G7, i përberë nga vendet e zhvilluara. Emri i saj rrjedh nga një term ekonomik i përdorur në fillim të viteve 2000 për të përshkruar vendet në ngritje që pritet të dominojnë ekonominë globale deri në vitin 2050.
Para anëtarësimit të Indonezisë, blloku përfaqësonte pothuajse 45% të popullsisë së botës dhe 35% të prodhimit të brendshëm bruto global, të matur me paritetin e fuqisë blerëse.