Në maj të vitit 2024, kryeministri Edi Rama premtoi shpërndarjen e 4,000 certifikatave pronësie për banorët e Himarës brenda vitit, madje brenda vjeshtës. Pas disa shpërndarjeve të kufizuara certifikatash në fund të vitit, premtimi i tij mbeti vetëm në fjalë.
“Ju falënderoj shumë të gjithëve dhe për 4 mijë shtëpitë do t’i japim certifikatat brenda vitit, brenda vjeshtës madje.”, premtoi Rama në fund të takimit me himariotët.
Rama u rikthye në Himarë me të njëjtin premtim, dy ditë para se himariotët të zgjidhnin Vangjel Tavon si kryetar bashkie në zgjedhjet e pjesshme lokale të 2 gushtit.
“Kemi bërë në 6 muaj pak a shumë, atë që pritej prej shumë e shumë vitesh dhe kemi arritur që gjithë bazën e punës së bërë në kohë e mëparshme, ta shfrytëzojmë për t’i dhënë një ritëm të jaashtëzakonshëm procesit. – u shpreh Kryeministri Rama, në takimin me banorët e Himarës.
Të dhënat e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës tregojnë se nga 2,188 dosje, 831 mbeten ende pa matje, duke dëshmuar se procesi i verifikimit ka mbetur në vend.
“…për këtë janë njoftuar kryepleqtë e zonave, për të mundësuar njoftimin e aplikuesve”, sqaron ASHK e Vlorës.
Madje, aplikimet për objektet e ndërtuara para vitit 1991 janë ende të hapura, duke lënë shumë banorë në pasiguri ligjore.
“Nuk mund t’ju japim përgjigje për faktin se aplikimet për objektet e ndërtuara para vitit 1991 janë ende të hapura.”, pohon ASHK e Vlorës.
Përkundër ritmit të ngadaltë të punës dhe justifikimeve të kryeministrit për përshpejtimin e procesit, realiteti është që, deri në fund të vitit, 4,000 certifikata nuk u shpërndanë.