Berati, një nga zonat me traditë të gjatë në kultivimin e ullirit dhe prodhimin e vajit, ka parë një zgjerim të ndjeshëm të plantacioneve vitet e fundit. Megjithatë, fermerët vendas po përballen me sfida serioze për shkak të emigrimit masiv dhe mungesës së infrastrukturës.
Emigrimi i të rinjve nga fshatrat e Beratit ka sjellë vështirësi në vjeljen e ullinjve. Theodhori Bello, një fermer nga fshati Gjeroven, investoi kursimet e 27 viteve emigracioni për të ndërtuar një fabrikë moderne të prodhimit të vajit të ullirit. Megjithatë, ai po has pengesa të mëdha për shkak të mungesës së punëtorëve dhe infrastrukturës rrugore.
“Tre vite më parë kur erdha për të investuar në fshat shpresova se të paktën shteti do të investonte në rrugë, sepse ka vite që është premtuar, por asgjë nuk është bërë”, tha Bello, duke shtuar se ishte kthyer me optimizëm për t’u zhgënjyer.
“Kjo është gjendja e rrugës, shikojeni vetë me sa vështirësi kalon mjeti, duke rezikuar që të kapë poshtë” shtoi ai.
Në mungesë të burrave dhe djemve, shumë gra dhe vajza janë detyruar të mbajnë barrën kryesore të punës. Zamira Merkaj, një fermere nga Gjeroveni, ka mbjellë 1,000 rrënjë ullinj, por ende nuk ka mundur të përfundojë vjeljen.
“Burri tre muaj punon këtu dhe tre muaj në Greqi. Kur ka andej më shumë punë, unë merrem dhe me ullinjtë se nuk na del. Kemi investuar shumë, por akoma nuk po marrim sa duhet," tha Merkaj.
Ndërsa plantacionet me ullinj janë zgjeruar, infrastruktura ka mbetur e pazhvilluar. Fermerët e fshatrave të Njësisë Administrative Velabisht dhe Sinjë ankohen se shteti nuk ka investuar në rrugë, duke e bërë të vështirë transportin e prodhimit.
“Deri më tani kam mbjellë 600 rrënjë ullinj, çdo vit i shtoj, sjell lekë djali nga emigrimi në Greqi dhe unë i mbjellë ullinj, por ç‘e do. Mirë që rrugë për të shkuar tek kurora e ullinjve nuk kemi, por nuk kemi as rrugën kryesore të fshatit“, tha Ysteak Molitaj, banor i fshatit Molishtë.
“Ose do t’i mbash me kafshë si në mesjetë, ose do paguash fuoristradën se ndryshe nuk mund ta sjellësh prodhimin në fabikë, apo ta shesësh“, tha burri.
Fermerët ankohen edhe për çmimin e ulët të vajit të ullirit dhe mungesën e mbështetjes nga shteti.
“Kur vijnë e marrin këtu tregtarët, nuk e shet dot më shumë se 4 mijë lekë litri. A shitet ky vaj kaq lekë? Është për të ardhur keq!" u ankua Molitaj.
Sipas Agjencisë Rajonale të Ekstensionit Bujqësor, ekziston një program vjetor për informimin e fermerëve, ku përfshihet edhe kultura e ullirit.
“Informacioni përçohet tek fermerët nëpërmjet takimeve në grup, takimeve individuale , fletëpalosjeve, broshurave etj“, tha Agjencia Rajonale e Ekstensionit Bujqësor.
Por, fermerët thanë se u kanë munguar totalisht kontaktet me agronomin rreth kultivimit të ullirit.