Tërmet i fuqishëm në Kinë, të paktën 93 viktima

Shkruar nga: Selma Hilaj | Publikuar më: 07.01.2025, 12:41

Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.1 Rihter goditi qytetin e shenjtë të Tibetit në Kinë, duke shkaktuar dëme të mëdha dhe një bilanc tragjik. Sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së, tërmeti goditi në një thellësi prej rreth 10 kilometrash, ndërsa autoritetet kineze e raportuan me magnitudë 6.8 Rihter. Epiqendra e tij ishte rreth 75 kilometra në verilindje të Malit Everest, në kufirin mes Kinës dhe Nepalit.

Zona, e njohur për aktivitetin e saj sizmik për shkak të përplasjes së pllakave tektonike të Indisë dhe Eurazisë, pësoi rreth 50 lëkundje pasuese brenda tri orëve pas tërmetit. Si rezultat, autoritetet kineze mbyllën zonën turistike të Malit Everest në anën kineze për të shmangur rrezikun për vizitorët.

Tërmeti shkaktoi dëme të mëdha në Tibet, ku mediat shtetërore raportuan se rreth 1.000 shtëpi janë shkatërruar ose dëmtuar rëndë. Tragjedia preku edhe Nepal dhe pjesë të Indisë fqinjë, ku lëkundjet u ndjenë qartë.

Bilanci i viktimave ka arritur në të paktën 93 persona, ndërsa 130 të tjerë raportohen të plagosur. Shumë banorë mbeten të bllokuar nën rrënojat e ndërtesave të shkatërruara.

Lideri kinez, Xi Jinping, bëri thirrje për përpjekje të gjithanshme për shpëtimin e jetëve, minimizimin e viktimave dhe sigurimin e strehimit për të pastrehët. Autoritetet nepaleze, ndërkohë, kanë nisur hetimet në zonën bjeshkore pranë epiqendrës për të vlerësuar dëmet dhe numrin e mundshëm të viktimave.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit