Është zbardhur vrasja e 33-vjeçarit, Ramazan Mataj e ndodhur në fshatin Dragoç të Postribës në Shkodër.
Rrustem Hasaj dhe Arjan Hasaj, babë e bir janë arrestuar si autorë të krimit ndërsa 2 të afërm të tyre janë shoqëruar si bashkëpunëtorë. I riu Arjan Hasaj është arrestuar në pikën kufitare të Muriqanit, ndërsa babai i tij në shtëpi.
33-vjeçarit Ramazan Mataj dyshohet se ka ngacmuar vajza në rrjetet sociale dhe ky mendohet të jetë edhe shkaku i vrasjes së tij. Ai është qëlluar me breshëri kallashnikovi teksa po lëvizte me mjetin e tij tip "Benz".
Autori, që ka qenë i vetëm, e ka qëlluar në dy anët e makinës, duke u siguruar për eliminimin e menjëhershëm të tij. I riu është gjetur i vdekur brenda makinës të dielën në mëngjes nga banorët e fshatit Dragoç. Këta të fundit kanë deklaruar se rruga ku ka ndodhur ngjarja e rëndë nuk është shumë e përdorshme pasi është e pashtruar me asfalt, s'ka drita e as kamera. Por për këto arsye autorët e kanë zgjedhur si vend krimi.
Ka dyshime se Ramazan Mataj është nxjerrë në pritë nga një vajzë me të cilën fliste në Facebook.