Raporti: Shqiptarët kryesojnë listën e arrestimeve për krime seksuale në Britani

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 06.01.2025, 23:13

Një raport i publikuar nga The Telegraph ka zbuluar se shqiptarët renditen të parët për normën e arrestimeve në Britani, bazuar në popullsinë e tyre, veçanërisht për krimet seksuale.

Sipas të dhënave nga policia britanike, emigrantët janë më shumë se tre herë më të prirur të arrestohen për krime seksuale krahasuar me shtetasit britanikë.

Në 10 muajt e parë të vitit 2024, policia në Angli dhe Uells ka kryer mbi 9,000 arrestime të të huajve për krime seksuale, që përfaqësojnë 26.1% të rreth 35,000 arrestimeve totale për këtë kategori.

Për çdo 1,000 emigrantë, janë regjistruar 23.9 arrestime, krahasuar me vetëm 12 arrestime për çdo 1,000 britanikë. Shqiptarët kryesojnë për normën më të lartë të arrestimeve, me 209.8 arrestime për çdo 1,000 shqiptarë, ndjekur nga afganët (106.9), irakianët (92.9) dhe algjerianët (72.7).

Në të gjitha kategoritë e krimeve, shqiptarët janë ndër të huajt me numrin më të madh të arrestimeve për banorë. Përveç kësaj, shqiptarët përfaqësojnë 13% të numrit total të të arrestuarve të huaj që ndodhen në burgjet britanike.

Në listën e kombësive me më shumë arrestime, shqiptarët renditen të tretët me 5665 arrestime, pas rumunëve (11,678) dhe polakëve (9583). Kombësitë e tjera që vijojnë listën janë indianët (5414) dhe pakistanezët (4171).

Raporti thekson se të huajt, që përbëjnë 9% të popullsisë së përgjithshme në Britani (5.5 milionë nga 53.5 milionë), kontribuojnë me 16.1% të numrit total të arrestimeve. Shqetësimi më i madh lidhet me faktin se shqiptarët janë ndër grupet më të përfaqësuara në burgjet britanike dhe në normën e arrestimeve për krime të rënda.

Robert Bates, drejtori i Qendrës për Kontrollin e Emigracionit, u shpreh: "Nuk duhet të ketë asnjë të huaj që thyen ligjet tona në Britani. Megjithatë, kemi mbi 10,000 të huaj në burgjet tona dhe shumë të tjerë që nuk mund t’i dëbojmë për shkak të pengesave ligjore.”

Ky raport ka ngjallur debate mbi masat që duhen marrë për menaxhimin e emigrantëve, përfshirë politikat e dëbimit dhe integrimit të tyre.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit