Fatmir Mataj, babai i 33-vjeçarit Ramazan Mataj, që u vra dje në fshatin Dragoç të Postribës, kërkon drejtësi nga shteti.
Mes lotësh dhe në kushte të rënduara psikologjike, ai ka folur për mediat për ngjarjen e rëndë duke thënë se nuk kanë probleme me asnjë person. Ai i ka kërkuar shtetit arrestimin e menjëhershëm të autorëve, pasi në të kundërt do të duhet ta zgjidhë vetë këtë që iu ka ndodhur.
Më tej ai ka treguar se djali 33-vjeçar së shpejti do fejohej dhe punonte në Malin e Zi në ndërtim, pa sjellë probleme në shtëpi.
“Komunikimi i fundit në orën 8:20 kur doli nga shtëpia. Do takoj dikë tha, nuk di asgjë tjetër. Nuk më është përgjigjur në telefon. Nuk kemi pasur asnjë ngatërresë, as debat me askënd. I kërkoj shtetit mos të hapë viktima më tepër, të zbardhë çështjen. Nuk kam pas debat me askënd. Kemi qenë për një kafshatë bukë.
Djali punonte në Mal të Zi. Priste fejesën dhe letrat. I kërkoj shtetit drejtësi, mos të hapen viktima të tjera, mos të marrim rrugë pa dashje me fjalë. Kur nuk del e drejta, do e gjej vetë. Do ta laj me gjak nëse nuk ndërhyn shteti. I bëj thirrje shtetit të kapen autorët sa më parë. Dhe rrjetet, ju lutem shumë mos fusni hundët, nuk jemi ne ata. Ju lutemi shumë, nuk kemi lidhje më askënd në botë. Ne kemi lidhje vetëm punë shtëpi. Nuk kemi asnjë dyshim, po të kishim dyshime do kishim vepruar brenda 24 orëve. Ka qenë i papërgatitur".
Ka dyshime se i riu është vrarë për shkak të marrëdhënies që kishte me një vajzë. Kjo e fundit dyshohet se e ka nxjerrë në pritë mbrëmjen e së shtunës duke lënë takim në rrugën e fshatit Dragoç, një rrugë pa lëvizje, pa drita dhe kamera sigurie. Kur ka mbërritur, i riu është përballur me autorët të cilët e kanë qëlluar me breshëri plumbash në dy anët e makinës dhe 14 plumba e kanë kapur në trup.