Shqipëria shpopullohet me ritme të shpejta, 28% e shqiptarëve kanë plane të largohen

Shkruar nga: Selma Hilaj | Publikuar më: 06.01.2025, 10:27

Shqipëria vazhdon të përballet me rrezikun e zbrazjes demografike, duke kryesuar krahasuar me vendet e tjera të rajonit për shkallën e lartë të planeve të emigrimit.

Sipas një ankete të zhvilluar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) mbi çështjet e sigurisë, 11% e shqiptarëve kanë deklaruar se kanë hartuar një plan konkret për t'u larguar nga vendi, një shifër që është dy herë më e lartë se mesatarja e Ballkanit. Në total, rreth 28% e shqiptarëve kanë plane largimi:

11% kanë një plan konkret,

11% kanë një plan të paqartë,

6% kanë afate të qarta për largim.

Ndërkohë, 66% e qytetarëve shprehen se nuk kanë dëshirë të largohen.

Nga ata që synojnë të largohen, 67% planifikojnë të mbështeten te rrjetet familjare dhe miqësore jashtë vendit. Një tjetër kategori, prej 10%, ka si qëllim emigrimin për studime, ndonëse Shqipëria dhe Kosova kanë përqindjen më të ulët në rajon të emigrantëve për arsye studimi.

Në këtë drejtim, 22% e të anketuarve po ndjekin kurse gjuhësh të huaja si një hap të parë për të siguruar emigrimin, ndërsa 18% po aplikojnë për programe si vizat blu apo kartat jeshile. Një tjetër 3% kanë gjetur kontrata pune përmes panaireve të punësimit jashtë vendit, dhe 29% e të anketuarve kanë siguruar vende pune përmes aplikimeve online.

Emigrimi prek shtresat e mesme dhe të larta

Tendenca e largimit duket se është zhvendosur te shtresa e mesme dhe te të punësuarit me paga të larta. Arsyeja kryesore për këtë prirje është kërkimi i një arsimimi më të mirë për fëmijët dhe një infrastrukturë më të avancuar të jetesës.

Pavarësisht zhvillimeve pozitive në turizëm dhe rritjes ekonomike mbi mesataren e dekadës së kaluar, shumë qytetarë shohin ende emigrimin si një alternativë më të mirë për jetesën e tyre dhe të familjeve të tyre.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit