Detaje të reja janë zbardhur rreth vrasjes së 33-vjeçarit Ramazan Mataj në fshatin Dragoç të Postribës në Shkodër.
Burime për JOQ ALBANIA bëjnë me dije se i riu është vrarë me armë zjarri, kallashnikov, rreth orës 20:30 dhe breshëria e plumbave është dëgjuar nga banorët e zonës.
Por nga frika askush nuk ka dalë mbrëmë dhe sot në mëngjes, disa prej tyre kanë konstatuar një person të vrarë brenda makinës tip “Benz”.
I riu i cili nuk banon në fshatin ku ka ndodhur ngjarja është përballur me atentatorët dhe në tentativë për t’u larguar ata e kanë qëlluar me breshëri plumbash në dy anët e makinës.
Atentati që dyshohet se ka ndodhur brenda 2 minutave, duket se ka qenë i mirëmenduar pasi autorët e kanë vrarë në një rrugë të fshatit ku nuk ka lëvizje, drita dhe asnjë kamera sigurie. Ata dyshohet se e kanë ruajtur Matajn dhe në momentin që ka dalë në rrugën e fshatit, e kanë qëlluar duke e lënë të vdekur.
Ende nuk dihet arsyeja e vrasjes së 33-vjeçarit i cili para 1 viti ishte kthyer nga Belgjika dhe sipas babait të tij tani punonte në Ulqin në ndërtim.
Ky i fundit kur është pyetur paraprakisht nga policia ka deklaruar se nuk ka asnjë informacion se pse ka ndodhur ngjarja.
Ai ka thënë se djali nuk kishte probleme dhe as shqetësime. Komunikimin e fundit me të e ka patur mbrëmjen e kaluar dhe djali nuk i ka treguar asgjë.