Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka paraqitur një plan të ri kombëtar për energjinë dhe klimën, i cili synon kufizimin e përdorimit të automjeteve në Shqipëri brenda vitit 2025.
Ky plan, i cili është shpallur për konsultim publik, ka si qëllim reduktimin e ndotjes dhe trafikut në qytetet kryesore, duke u përpjekur të përmirësojë cilësinë e ajrit dhe të zvogëlojë përdorimin e burimeve të energjisë.
Por një nga masat kryesore parashikuar në këtë plan është kufizimi i lëvizjes së automjeteve në ditë të caktuara të javës, sipas targës së makinës.
Gjithashtu, deri në vitin 2030, pritet që 10% e automjeteve në Shqipëri të jenë elektrike, duke kontribuar në reduktimin e ndotjes nga karburantet fosile.
Por njē plan i tillë sjell edhe shumë probleme e një nga shqetësimet më të mëdha lidhet me kufizimin e lirisë së lëvizjes për qytetarët. Ata që kanë nevojë për të udhëtuar çdo ditë për punë, shkollë apo angazhime të tjera mund të ndihen të disavantazhuar nga kjo masë. Gjithashtu kjo mund të krijojë një ngarkesë të shtuar për transportin publik, që ende ka nevojë për përmirësime të mëdha në infrastrukturë dhe shërbime.
Ndërsa plani përfshin mundësinë e përdorimit të automjeteve elektrike, shumë qytetarë dhe biznese ende nuk kanë mundësi të investojnë në këto automjete për shkak të kostos së lartë dhe mungesës së infrastrukturës për karikimin e tyre. Pa një ndryshim të shpejtë dhe efektiv në ofrimin e stacioneve të karikimit, kjo masë mund të krijojë më shumë probleme sesa zgjidhje për përdoruesit.
Edhe pse qëllimi i planit është i mirë, për të reduktuar ndotjen dhe për të ndihmuar në luftën kundër ndryshimeve klimatike, implementimi i tij has shumë vështirësi pasi vendi ynë vuan për transport të rregullt e publik ashtu siç ndodh në vendet e tjera europiane.