Dy banesa janë përfshirë nga flakët dhe janë shkrumbuar në lagjen nr.4 të Pogradecit pak minuta më parë.
Lajmi u raportua në redaksinë e JOQ Albania nga një qytetar, i cili ka dërguar dhe pamja nga vendngjarja.
Sipas tij, zjarrfikësit nuk arritën në kohë dhe, edhe pasi mbërritën, nuk ishin të pajisur me sasinë e nevojshme të ujit dhe mjete të duhura për të vënë flakët nën kontroll.
“Ishte një shtëpi e banuar, por fatmirësisht banorët dolën jashtë menjëherë pasi nisi zjarri. Ata janë duke qarë nga shkatërrimi i shtëpisë së tyre,” tha qytetari, duke shtuar se flakët vazhdojnë të jenë jashtë kontrollit.
Zjarri ka nisur në një banesë dhe më pas flakët janë përhapur në një banesë tjetër aty pranë, duke shkatërruar gjithçka. Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar.
Ngjarja ka ngjallur shqetësim të madh në zonë, ku banorët po e ndjekin situatën me ankth, ndërsa kërkojnë ndërhyrje më të shpejtë dhe të efektshme për të shmangur dëme të tjera.