Tomiko Itooka, e shpallur si gruaja më e vjetër në botë nga Rekordet Guinness, ka ndërruar jetë në moshën 116-vjeçare në një shtëpi për të moshuarit në prefekturën e Hjogos, Japoni. Ajo mori këtë titull pas ndarjes nga jeta të spanjolles Maria Branyas Morera në gusht të vitit 2024, e cila kishte qenë 117 vjeç. E lindur në maj të vitit 1908, Itooka përjetoi ngjarje të rëndësishme historike, përfshirë luftëra botërore dhe përparime të mëdha teknologjike.
Japonezja ishte nënë e dy vajzave dhe dy djemve dhe jetoi për një kohë të gjatë në qytetin Nara, sidomos pas vdekjes së bashkëshortit të saj në vitin 1979. Japonia njihet për jetëgjatësinë e popullsisë së saj, dhe deri në shtator të vitit 2024, mbi 95.000 banorë ishin mbi 100 vjeç, me 88% të tyre gra. Me një popullsi prej 124 milionë banorësh, pothuajse një e treta e japonezëve janë mbi 65 vjeç, duke reflektuar trendin e plakjes së popullsisë.
Pas vdekjes së Itookas, besohet se personi më i vjetër në botë është murgesha braziliane Canabarro Lucas, e cila ka lindur 16 ditë pas saj dhe tani është 116 vjeç.