Kukësi është zgjuar këtë mëngjes i mbuluar nga bora, me një trashësi prej rreth 5 cm në qytet, ndërsa në zonat e thella ka arritur deri në 40 cm, duke shkaktuar vështirësi për banorët. Fshatrat më të prekura janë Shkinak, Tërshen, Turaj, Xhafere, Kollovoz, Stanet e Novesojt dhe Arrën, ku lëvizja është e mundur vetëm me mjete të larta për shkak të dëborës së madhe. Po ashtu, në Bashkinë Has vështirësi janë raportuar në Kishaj, Cahan, Muje dhe Pogaj.
Përveç vështirësive në qarkullim, një problem i madh mbetet mungesa e energjisë elektrike në disa zona, pasi stuhia e borës ka dëmtuar linjat e furnizimit. Aktualisht, Njësitë Administrative Topojan, Shishtavec, Zapod, Surroj dhe Kolsh në Kukës janë pa energji elektrike, duke krijuar vështirësi për banorët në këtë mot të ftohtë.
Ndërkohë, akset rrugore nacionale mbeten të qarkullueshme, megjithatë në disa segmente, veçanërisht në qafat e maleve, ka prezencë të akullit. Drejtuesit e mjeteve këshillohen të pajisen me goma dimërore ose zinxhirë për të shmangur rrezikun e aksidenteve.