“Dhurata” e parë për qytetarët, nga sot bëhet me pagesë kalimi në Thumanë-Kashar

Shkruar nga: Selma Hilaj | Publikuar më: 04.01.2025, 12:21

Prej datës 4 janar 2025, në autostradën Thumanë-Kashar, pjesë e korridorit Blu, fillon aplikimi i tarifës për kalim. Vlera e pagesës përcaktohet në bazë të llojit të mjetit, duke nisur nga një tarifë minimale prej 2.1 euro pa TVSH dhe 2.52 euro me TVSH.

Tarifa do të rishikohet çdo vit, bazuar në kursin e këmbimit euro-lek. Kontrata parashikon rrumbullakosjen e shumave kur ato përmbajnë presje dhjetore. Pagesa në lekë do të bëhet sipas një kursi të përcaktuar në kontratë, i cili do të jetë i afërt me atë të tregut.

Kategoritë e tarifave

Kategoria 1: Motocikletat

Pagojnë 70% të tarifës bazë prej 2.5 euro.

Tarifa përfundimtare: 1.75 euro (rrumbullakosur në 1.8 euro) ose 170 lekë (me kursin 1 EUR = 98 ALL).

Kategoria 2: Autoveturat

Tarifa bazë: 2.5 euro me TVSH.

Konvertuar në lekë: 250 lekë (me kursin 1 EUR = 98 ALL).

Kategoria 3: Mjete me 2-3 akse dhe lartësi mbi 2.2 metra

Pagojnë 250% të tarifës bazë.

Tarifa përfundimtare: 6.25 euro (rrumbullakosur në 6.3 euro) ose 620 lekë.

Kategoria 4: Mjete me 4 ose më shumë akse

Pagojnë 350% të tarifës bazë.

Tarifa përfundimtare: 8.75 euro (rrumbullakosur në 8.8 euro) ose 870 lekë.

Pikat e pagesës (tollat)

Tolli për ata që vijnë nga veriu dhe kalojnë në autostradën Thumanë-Kashar ose në Rinas.

Tolli për ata që hyjnë në autostradën Kashar-Thumanë, duke udhëtuar drejt veriut ose në Rinas.

Tolli për ata që vijnë nga Rinasi dhe udhëtojnë drejt veriut ose në Kashar.

Autostrada, e hapur për qarkullim më 30 qershor 2024, ka një gjatësi prej 21 kilometrash dhe është ndërtuar nga kompania koncesionare përmes një kontrate 35-vjeçare. Financimi prej 271 milionë euro është siguruar nga vetë kompania, e cila do të mbledhë të ardhurat përmes tarifave të pagesës.

Në kontratë parashikohet që shteti do të mbështesë kompaninë nëse të ardhurat nga tarifa nuk arrijnë objektivin e planifikuar gjatë 8 viteve të para:

Viti 1 (2024): Të ardhurat e planifikuara janë 26.85 milionë euro; shteti garanton deri në 8 milionë euro.

Viti 2 (2025): Të ardhurat e planifikuara janë 25.58 milionë euro; garancia shtetërore është 5.6 milionë euro.

Viti 3 (2026): Të ardhurat e planifikuara janë 25.10 milionë euro; garancia është 3.92 milionë euro.

Mbështetja shtetërore do të reduktohet gradualisht dhe përfundon në vitin 2031, me një garanci prej vetëm 360 mijë euro. Në vitin 2055, të ardhurat vjetore të autostradës parashikohen të arrijnë në 63.15 milionë euro.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit