Raporti i UNESCO-s: Në Shqipëri është përkeqësuar cilësia e arsimit

Shkruar nga: Selma Hilaj | Publikuar më: 03.01.2025, 13:53

Shqipëria po përballet me sfida të mëdha në sektorin e arsimit, ku kërkohet rritje e financimit dhe shpërndarje më efikase e burimeve, sipas një raporti të publikuar nga UNESCO.

Raporti thekson uljen e vazhdueshme të financimeve për arsimin gjatë dekadës së fundit. Në vitin 2010, shpenzimet publike për arsimin përbënin 12% të buxhetit kombëtar dhe 3.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Ndërkohë, në vitin 2021, këto shifra ranë në 9.8% të buxhetit dhe 3.1% të PBB-së, me një përkeqësim të mëtejshëm në vitet pasuese.

UNESCO thekson se përmirësimi i financimit është jetik për të adresuar sfidat ekzistuese dhe për të siguruar arsim cilësor për të gjithë fëmijët. Raporti nënvizon gjithashtu se pagat e mësuesve janë ndër më të ulëtat në rajon, duke ndikuar negativisht në motivimin dhe cilësinë e mësimdhënies.

Ndërkohë që numri i nxënësve ka rënë, kostot për nxënës janë rritur, duke treguar për një shpërndarje joefikase të burimeve. Decentralizimi i nisur në vitin 2015, i cili ndau përgjegjësitë midis Ministrisë së Arsimit dhe pushtetit vendor, nuk ka funksionuar siç duhet. Ky problem ka ndikuar më tej negativisht në menaxhimin dhe efikasitetin e rrjetit arsimor.

Në vitin 2021, qeveria shqiptare shpenzoi për arsimin vetëm 3.1% të PBB-së, një nivel më i ulët krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit. Shpenzimet për mbrojtjen sociale dhe investimet kapitale mbizotërojnë buxhetin, ndërsa arsimi mbetet i nënfinancuar.

UNESCO apelon për rritje të financimit për arsimin, si një hap të domosdoshëm për përmirësimin e cilësisë arsimore dhe për përmbushjen e nevojave të ekonomisë së ardhshme të vendit. Vetëm përmes ndërhyrjeve të shpejta dhe efektive mund të sigurohet një e ardhme më e mirë për arsimin në Shqipëri.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit