Dy shtetas shqiptarë, të moshës 41 vjeç, janë arratisur nga burgu i Kasavetias në Greqi. Arratisja u zbulua nga gardianët rreth orës 21:00 mbrëmjen e djeshme.
Të arratisurit janë dënuar me 20 vite burg për krime të rënda, përfshirë vrasje, grabitje dhe zjarrvënie me dëmtime të pronës. Ata ndodheshin në këtë institucion që nga viti 2019 dhe mbaheshin në një zonë të hapur, pa masa të forta sigurie, për shkak të sjelljes së tyre të mirë.
Gjatë vitit 2024, ata kishin marrë pesë leje daljeje nga burgu. Mendohet se arratisja e tyre është planifikuar gjatë një prej këtyre lejeve, vetëm pak ditë para se të zbulohej mungesa e tyre.