Ekspertët: Po rritet numri i fëmijëve me gurë në veshka, kequshqyerja shkaku kryesor

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 02.01.2025, 23:54

Numri i rasteve me gurë në veshka tek fëmijët është në rritje, dhe shumë specialistë të shëndetit po fajësojnë dietën e tyre si një nga shkaqet kryesore. Një studim i "Clinical Journal of the American Society of Nephrology" zbuloi një rritje prej 28% të rasteve me gurë në veshka tek vajzat dhe 23% tek djemtë, të grupmoshës 15-19 vjeç në Karolinën e Jugut.

Ekspertët vërejnë se fëmijët po konsumojnë gjithnjë e më shumë ushqime të përpunuara dhe me përmbajtje të lartë kripe. “Sasia e madhe e kripës në dietën amerikane çon në nxjerrjen e kalciumit bashkë me natriumin nga veshkat, duke rritur rrezikun e formimit të gurëve me bazë kalciumi,” tha John S. Wiener, urolog pediatrik në “Duke Health”.

Më shumë se 90% e fëmijëve të moshës 6 deri në 18 vjeç konsumojnë rreth 3300 miligramë natrium në ditë, shumë më tepër se kufiri i rekomanduar prej 2300 miligramësh.

Ushqimet e përpunuara dhe të shpejta janë burimi kryesor i kësaj sasie të lartë kripe. Përveç kësaj, ushqimet e përpunuara zakonisht janë të varfëra në lëndë ushqyese thelbësore, duke ndikuar në ekuilibrin e mineraleve dhe duke rritur nivelet e kalciumit dhe oksalatit, dy minerale kryesore që kontribuojnë në formimin e gurëve në veshka.

Ekspertët këshillojnë që fëmijët të konsumojnë më shumë ujë dhe të kufizojnë ushqimet shumë të kripura ose me shumë sheqer, si dhe të rrisin konsumimin e ushqimeve bio dhe të shëndetshme.

Këto masa janë jetike për të frenuar përhapjen e kësaj gjendjeje shqetësuese mes fëmijëve.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit