Në redaksinë tonë ka ardhur një denoncim lidhur me firmën kontraktuese "Vëllezërit Hysa" shpk. dhe autoriteteve rrugore, që këto dy palë të ndërhyjnë menjëherë për të larguar ujërat dhe për të stabilizuar rrugën.
Qytetari ankohet për neglizhencën e firmës kontraktuese, e cila, gjatë asfaltimit të aksit Labinot-Bize, ka lënë ujërat të rrjedhin pa kontroll, duke shkaktuar dëmtime serioze në strukturën e rrugës së fshatit Griqan. Kjo ka çuar rrugën në prag të shembjes dhe rrezikon izolimin e 70 familjeve të fshatit. Ai thekson se, për momentin, banorët kanë vendosur disa gurë si një masë provizore për të parandaluar aksidentet, por kjo është e pamjaftueshme dhe mund të përkeqësohet me afrimin e dimrit.
Qytetari kërkon ndërhyrje urgjente nga autoritetet dhe firma kontraktuese për të larguar ujërat dhe për të stabilizuar rrugën, duke paralajmëruar se situata mund të përkeqësohet nëse nuk merren masa të menjëhershme.
Mesazhi i qytetarit:
"Këtu jemi në fshatin Griqan, Poshtë njësisë administrative Labinot Fushë. Për shkak të neglizhencës dhe nxjerrjes së ujërave nga rruga kryesore, nga firma kontraktore që ka asfaltuar rrugën kryesore të aksit Labinot-Bize, rrezikohet rruga e fshatit. Siç shihet në video, rruga është drejt shembjes, duke rrezikuar izolimin e 70 familjeve të fshatit. Përpos rrugës së fshatit, rrezikohet edhe vetë rruga kryesore Labinot – Bize.
Kërkojmë nga autoriteti rrugor dhe firma kontraktuese "Vëllezërit Hysa shpk" që të largojnë menjëherë ujërat nga kanali dhe ta kthejnë rrugën në normalitet dhe siguri për banorët e fshatit. Siç shihet, e vetmja gjë sinjalizuese për të shmangur një aksident janë disa gurë të vendosur nga banorët, që të shmangen rëniet në humnerë. Por kjo është vetëm një zgjidhje provizore dhe nuk mund të vazhdojë shumë. Dimri është para dhe, nëse nuk do të ketë ndërhyrje nga autoriteti rrugor dhe nga vetë firma që ka nxjerrë ujërat nga rruga, të dyja rrugët rrezikohen të përfundojnë në grumbuj rrënojash.
Kërkohet spostimi i grykëderdhjes dhe ndërtimi i një muri prej gabioni ose betoni, që të mos vazhdojë shembja dhe qarkullimi i mjeteve në hyrjen e fshatit dhe në rrugën kryesore të jetë i sigurt."