Bashar al-Assad i arratisur, tentojnë ta vrasin duke e helmuar

Shkruar nga: Selma Hilaj | Publikuar më: 02.01.2025, 14:42

Ish-presidenti i Sirisë, Bashar al-Assad, raportohet se i ka shpëtuar një tentative për vrasje në Moskë, ku po qëndron me familjen e tij që prej 8 dhjetorit 2024, pas arratisjes nga Siria për shkak të një sulmi nga rebelët e Hayat Tahriri al-Sham (HTS).

Lajmi është publikuar në kanalin Telegram “General SVR,” i cili besohet të drejtohet nga një ish-agjent i lartë rus. Sipas këtij burimi, atentati ka ndodhur më 29 dhjetor. Assad-i dyshohet se është helmuar dhe ka përjetuar një gjendje kritike, duke pasur vështirësi serioze në frymëmarrje.

Mjekët, të thirrur me urgjencë në banesën e tij, arritën ta stabilizonin. Megjithatë, ky incident nuk është konfirmuar nga burime zyrtare.

Sipas gazetës The Sun, Assad-i kërkoi menjëherë ndihmë mjekësore pasi, pas ekspozimit ndaj një substance të dyshuar helmuese, filloi të kollitej pandërprerë dhe të ndjente vështirësi të rënda në frymëmarrje.

Ngjarja ka ndodhur në një kohë kur flitet për tensione në familjen e Assad-it. Raportet sugjerojnë se gruaja e tij, Asma al-Assad, është në proces divorci dhe shpreh dëshirën për t’u zhvendosur në Londër.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit