Një sherr masiv ka ndodhur rreth orës 01:35, në fshatin Gjashtë, të Sarandës.
12 persona, mes tyre 4 punonjës policie jashtë shërbimit, janë konfliktuar fizikisht duke përdorur sende të forta por edhe armë zjarri.
JOQ ALBANIA ka mësuar se efektivët e policisë kanë qëlluar me armë zjarri ndaj personave të përfshirë në konflikt dhe dy prej tyre, 2 vëllezër të identifikuar si Enea Nexhipi dhe Albi Nexhipi u dërguan në spital pas lëndimeve nga goditja me sende të forta.
Pas marrjes së ndihmës mjekësore në spital, ata u shoqëruan në Komisariatin e Policisë Sarandë për veprime të mëtejshme.
Ndërkohë që në komisariat janë shoqëruar edhe 4 punonjësit e policisë të cilët dyshohet se ishin përfshirë në sherr, por Policia në njoftimin zyrtar nuk ka përmendur fare faktin se në sherr ka patur edhe tē shtëna me armë zjarri nga ana e efektivëve.
Njoftimi i policisë:
Më datë 02.01.2025, rreth orës 01:35, në fshatin Gjashtë, Sarandë, dyshohet se janë përfshirë në një konflikt për motive të dobëta, duke përdorur sende të forta, disa shtetas, ndërmjet tyre dhe punonjës policie jashtë shërbimit.
Si pasojë e konfliktit, kanë mbetur të dëmtuar shtetasit E. N. dhe A. N., të cilët, pas marrjes së ndihmës mjekësore në spital, janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Sarandë për veprime të mëtejshme.
Në Komisariatin e Policisë janë shoqëruar gjithashtu disa prej shtetasve të përfshirë në konflikt, përfshirë punonjësit e Policisë jashtë shërbimit. Vijon puna për identifikimin dhe shoqërimin e të gjithë shtetasve të tjerë të përfshirë.
Grupi hetimor dhe AMP, nën drejtimin e Prokurorisë Sarandë, po punojnë për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.