Sistem i ri sigurimi për makinat, shoferët problematikë paguajnë më shumë

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 01.01.2025, 16:50

Që nga e mërkura, 1 janar 2025, hyn në fuqi një sistem i ri sigurimi për automjetet, i njohur si bonus-malus. Ky sistem, i zbatuar nga kompanitë e sigurimeve, përcakton primit e sigurimit të diferencuar bazuar në risqet që paraqet çdo i siguruar.

Shoferët me historik të dobët, të përfshirë në aksidente të shumta, do të paguajnë sigurim më të lartë, ndërsa ata me sjellje të rregullt në drejtim të automjetit do të përfitojnë çmime më të ulëta. Konkretisht, drejtuesit e mjeteve që kanë shkaktuar më shumë se dy aksidente gjatë tre viteve të fundit, si dhe pronarët e mjeteve me histori aksidentesh, edhe nëse nuk kanë qenë vetë drejtues, do të përballen me tarifa më të larta sigurimi.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare e miratoi këtë rregullore të re, e cila përllogarit primit duke marrë në konsideratë faktorë të ndryshëm risku. Përveç historikut të aksidenteve, do të merren parasysh fuqia motorike e automjetit, mosha dhe eksperienca e shoferit, mënyra e përdorimit të mjetit, qarku i regjistrimit dhe vjetërsia e automjetit. Shoferët e rinj, me përvojë të pakët, apo ata që përdorin makina të vjetra, do të kenë tarifa më të larta sigurimi. Gjithashtu, qarqet me më pak aksidente, si Berati, Dibra dhe Kukësi, konsiderohen me risk të ulët dhe do të kenë tarifa më të favorshme.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit