Qeveria shqiptare, në një akt që përkon më shumë me një tallje publike sesa me një vlerësim të mirëfilltë, ka vendosur të shpërblejë policët e shtetit me vetëm 10 mijë lekë (rreth 100 euro) si bonus për fundvit. Ky vendim, që me të drejtë cilësohet si turpërues, vjen në një kohë kur inflacioni ka goditur rëndë çdo familje shqiptare, duke rritur çmimet e ushqimeve bazë, energjisë dhe qirasë, ndërsa pagat e policëve vazhdojnë të mbeten larg standardeve minimale për një jetë dinjitoze.
Ironia e këtij shpërblimi është një goditje e dyfishtë për njerëzit që mbajnë mbi supe barrën e sigurisë publike në një nga periudhat më të vështira socio-ekonomike të vendit. 100 euro për njerëzit që përballen çdo ditë me krimin, që punojnë me orë të zgjatura dhe shpesh me mungesa serioze të mjeteve bazë të punës, është jo vetëm një shumë qesharake, por edhe një shprehje e hapur përbuzjeje nga ana e qeverisë. Kjo shumë nuk arrin të mbulojë as një javë shpenzime për ushqime bazë, për të mos folur për nevoja të tjera jetësore.
Përtej qesharakes, ky shpërblim është një shembull klasik i turpit institucional, duke dëshmuar një shkëputje totale mes vendimmarrësve dhe realitetit të atyre që mbajnë rendin në terren. Në një kohë kur bandat kriminale janë në gjendje të paguajnë shumëfish për të korruptuar zyrtarët e rendit, qeveria u ofron policëve një shpërblim që ngjan më shumë si një aludim i heshtur për të kërkuar shtesa gjetkë.
Ky akt nuk është vetëm një tallje ndaj policëve, por një goditje për vetë konceptin e sigurisë publike. Në vend që të motivojë dhe të rrisë integritetin e forcave të rendit, qeveria duket se po i detyron ata të shikojnë nga rrugë alternative kriminale për të mbijetuar. Një bonus që flet për krizën morale dhe ekonomike të qeverisë dhe që në thelb delegjitimon fjalët e mëdha për “vizionin Shqipëria 2030.” Sepse, nëse ky është vizioni, turpi është tashmë një realitet.