Një 15-vjeçar që lëvizte me pistoletë dhe dorezë hekuri është arrestuar në zonën e Fushë-Mëzezit, Tiranë.
JOQ ALBANIA ka mësuar se arrestimi i të miturit ka ndodhur ditën e djeshme, edhe pse policia e ka njoftuar sot si ngjarje.
15-vjeçari është arrestuar në rrugicat e Fushë-Mëzezit, pranë një qendre tregtare në këtë zonë.
Ajo që bie në sy është dhuna që ushtrojnë 3 policët e angazhuar për të arrestuar të miturin, sikur ai të ishte një kriminel i shumëkërkuar.
Në pamje mund të shihet qartë se si policët e godasin me grushta dhe shpulla në kokë të miturin, ndërkohë që ai ulet për t'u mbrojtur. Më pas policët e shoqërojnë deri te makina 15-vjeçarin, i cili thuhet se është arrestuar pas informacioneve që dikush i kishte dhënë policisë për armët që ai mbante.
Ende nuk dihet se si 15-vjeçari ka arritur të sigurojë një armë zjarri, pistoletë dhe një dorezë metalike, dhe as për çfarë do i përdorte ato.