Tre përbindësha betoni ngjitur me Gardën: Projekti që kërcënon hyrjen e liqenit artificial

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 27.12.2024, 18:46

Një tjetër goditje për hapësirat e gjelbra të Tiranës po vjen me ndërtimin e kompleksit “Grand Park Skyline”, një projekt masiv që përfshin tre kulla shumëkatëshe ngjitur me derën e Gardës së Republikës, në hyrje të liqenit artificial. Projekti parashikon zhdukjen e ndërtesës ekzistuese katërkatëshe të Tirana Bank dhe ngritjen e dy kullave rezidenciale, një hoteli dhe një ndërtese me motive të frymëzuara nga Mesopotamia Antike.

Ky zhvillim ka ngjallur shqetësime të mëdha mjedisore, pasi pritet të ndikojë negativisht në parkun dhe hapësirat përreth liqenit artificial, një nga zonat e pakta të gjelbra të qytetit. Tre kullat, të cilat sipas planeve të publikuar do të jenë minimalisht mbi 40 kate, do të dominojnë horizontin e zonës, duke e kthyer hyrjen e liqenit në një kaos urbanistik.

Përveç ndikimit vizual, ky projekt ngre shqetësime për ngarkesën që do të shtohet në infrastrukturën e qytetit. Me 530 apartamente, 184 dhoma hoteli dhe mbi 800 vende parkimi nëntokë, zona rreth Gardës pritet të përballet me trafik të shtuar, ndotje akustike dhe reduktim të qasjes në hapësirat publike.

Ndërsa kompania ndërtuese, X One shpk, promovon projektin si një zhvillim “modern”, kritikët paralajmërojnë se ky është një tjetër shembull i betonizimit të Tiranës dhe përkeqësimit të cilësisë së jetesës së banorëve. Projekti është miratuar në gusht të këtij viti, pavarësisht shqetësimeve të vazhdueshme për mungesën e mbrojtjes së hapësirave të gjelbra dhe efektet e dëmshme në ekosistem.

Pronarët e kompanisë, Çesk Ivanaj, Ylli Ujka dhe Ilir Trebicka, janë përballur me akuza për prioritetizimin e interesave ekonomike mbi ato publike. Ujka, një biznesmen nga Lezha, ka qenë më parë i angazhuar në industri ndërtimi në Itali, ndërsa Trebicka është një emër i njohur në botën e biznesit në Shqipëri.

“Grand Park Skyline” është parë nga shumëkush si një shembull i degradimit urbanistik të Tiranës, ku në emër të zhvillimit ekonomik po shkatërrohen resurset natyrore dhe peizazhet historike të qytetit.


FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit