Shtyllat e ekonomisë së Shqipërisë, bujqësia dhe industria në rënie pa kthim

Shkruar nga: Selma Hilaj | Publikuar më: 26.12.2024, 10:11

Ekonomia e Shqipërisë është rritur përtej mesatares së dekadës në tre vitet e fundit, por sektorët kryesorë prodhues, si bujqësia dhe industria, po përjetojnë një rënie të vazhdueshme.

Bujqësia, që përbën mbi 18% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), ra me 2.5% në tremujorin e tretë të vitit 2024. Kjo është rënia më e madhe që nga fundi i vitit 2022, kur prodhimi u ndikua nga ngricat. Për të tetin tremujor rresht, bujqësia ka shënuar rënie. Gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2024, prodhimi bujqësor ishte 1% më i ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.

Industria, një tjetër sektor i rëndësishëm, ka rënë për gjashtë tremujorë radhazi. Në korrik-shtator 2024, PBB në industri ra me 4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në vitin 2023, bujqësia kontribuoi me 32.3% të punësimit në vend, ndërsa industria përbënte 11.4%.

Së bashku, bujqësia dhe industria përbëjnë rreth 30% të PBB-së së Shqipërisë. Por këto sektorë janë dëmtuar nga kursi i këmbimit, pasi leku është forcuar ndjeshëm kundrejt euros. Në vitin 2013, euro këmbehej me 140.5 lekë, ndërsa këtë vit ka rënë nën 99 lekë. Si rezultat, eksportet shqiptare kanë humbur të ardhura, ndërsa importet janë bërë më të lira, duke konkurruar prodhimet vendase.

Shumë biznese prodhuese kanë falimentuar ose janë zhvendosur në sektorë të tjerë, ndërsa disa kanë kaluar në tregtinë e importeve.

Rritja ekonomike aktualisht mbështetet kryesisht nga ndërtimi dhe turizmi, të cilët janë më pak të qëndrueshëm. Ndërtimi u rrit me 5.3% në tremujorin e tretë të vitit 2024, por punësimi në këtë sektor mbeti i pandryshuar krahasuar me vitin 2022, duke kontribuar me 7.6% të punësimit total.

Turizmi, sektori me rritjen më të shpejtë, është bërë motori kryesor i rritjes ekonomike, por është shumë i ndjeshëm ndaj krizave, siç u vu re gjatë pandemisë COVID-19.

Ekspertët mendojnë se vetëm sektori i prodhimit mund të sigurojë rritje të qëndrueshme dhe të krijojë më shumë vlerë për ekonominë në afat të gjatë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit