Biznesmeni Nadir Çausholli është përfshirë në një tjetër skandal që ka çuar në përjashtimin e një prej kompanive të tij nga pjesëmarrja në tenderët publikë. Pas përjashtimit të kompanisë “CFO Pharma” në korrik të vitit 2024, një tjetër shoqëri në pronësi të tij, “Green Line”, është përjashtuar për një periudhë prej 6 muajsh nga tenderët publikë. Arsyeja? “Keqinformim i autoriteteve për qëllime kualifikimi”.
Ky është goditja e dytë për biznesin e Çaushollit brenda pak muajsh. Në korrik të këtij viti, “CFO Pharma” u ndalua nga tenderët për një periudhë të njëjtë, pasi u zbulua se kishte mashtruar në dokumentacionin e saj për të siguruar kualifikimin në tendera publikë.
Në një nga rastet më të fundit, kompania “Albpetrol” shpalli një tender për shërbime transporti me një fond limit prej 12.9 milionë lekësh. Në këtë garë morën pjesë kompania “Green Line” dhe një operator tjetër. Të dy subjektet u skualifikuan për mosplotësim të kritereve, por skandali për “Green Line” erdhi kur u zbulua se ortaku i saj, Nadir Çausholli, është gjithashtu aksioner në kompaninë e përjashtuar më parë, “CFO Pharma”.
Sipas nenit 76 të ligjit “Për prokurimet publike”, një operator ekonomik skualifikohet nga tenderat nëse drejtuesit ose aksionarët e tij janë të përfshirë në një kompani tjetër të përjashtuar. Kjo përfshirje u konfirmua nga “Albpetrol” dhe më pas nga Komisioni i Prokurimit Publik (KPP).
Pavarësisht se “Green Line” e ankimoi vendimin, KPP-ja e hodhi poshtë pretendimin e saj dhe konstatoi se dokumentet e dorëzuara ishin të pasakta, duke përfshirë një deklarim të rremë për aksionerët e kompanisë. Për këtë arsye, KPP propozoi nisjen e një hetimi administrativ nga Agjencia e Prokurimit Publik (APP).
Në bazë të këtij hetimi, APP vendosi përjashtimin e kompanisë “Green Line” nga e drejta për të marrë pjesë në tendera publikë për 6 muaj, duke konfirmuar se kompania kishte keqinformuar autoritetet me qëllim sigurimin e kualifikimit.
Ky është një tjetër rast që vë në pah problemet me transparencën dhe integritetin e disa operatorëve ekonomikë në procesin e tenderimit publik në Shqipëri.