Serbia ia refuzon Sveçlës kërkesën për të vizituar Luginën

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 25.12.2024, 15:43

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, nuk arriti të vizitojë Luginën e Preshevës më 23 dhe 24 dhjetor, pasi Qeveria e Serbisë refuzoi kërkesën për lejimin e vizitës.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës bëri të ditur se Serbia, si pretekst për refuzimin, ka përmendur qëndrimet dhe veprimet e Sveçlës, të cilat sipas tyre janë kundër komunitetit serb.

“Pavarësisht ndjekjes së të gjitha procedurave sipas Marrëveshjes së Brukselit për vizita zyrtare, Qeveria e Serbisë e ka refuzuar kërkesën. Arsyeja e dhënë është se qëndrimet dhe veprimet e ministrit konsiderohen si kundër komunitetit serb dhe normalizimit të marrëdhënieve”, thuhet në komunikatë.

MPJ shton se refuzime të ngjashme janë bërë vazhdimisht në dy vitet e fundit, përfshirë edhe vizitat e ministrave të tjerë, si ajo e Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, më 19 dhjetor.

Sipas MPJ-së, këto veprime nga Serbia synojnë të tensionojnë raportet me Kosovën dhe janë pjesë e provokimeve të vazhdueshme. Po ashtu, vizita e paralajmëruar e Zëvendëskryeministres dhe Ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, më 27 shkurt 2024, ishte refuzuar pa arsye të vlefshme.

MPJ konsideron se këto veprime janë pjesë e një strategjie për të shkaktuar tensione, duke përmendur aktet e fundit në Banjska dhe Ibër-Lepenc si shembuj të kësaj qasjeje provokuese të Serbisë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit