Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e ndodhur dje në Metoq të Sarandës. 49-vjeçarja Elvira Tahiraj ka pranuar gjatë marrjes në pyetje se ka kryer vrasjen e bashkëshortit të saj, Llazar Tahiraj.
Burime të besueshme bëjnë të ditur se e dyshuara, e cila është shfaqur gjakftohtë, por me shenja të mundshme të problemeve të shëndetit mendor, ka deklaruar se më parë ka tentuar ta vrasë bashkëshortin, pa dhënë ndonjë arsye për veprimet e saj.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 08:00 të mëngjesit, kur vajza e viktimës, e cila ndodhej në shtëpi, pasi u zgjua, gjeti të atin të pajetë dhe në një pellg gjaku në shtratin e tij. Ajo kërkoi për nënën e saj dhe e gjeti pranë derës së jashtme të shtëpisë. Vajza kontaktoi motrën e saj, që jeton po ashtu në Metoq, dhe së bashku njoftuan policinë.
Një fqinj i lagjes ka deklaruar se rreth orës 04:00 të mëngjesit kishte parë 49-vjeçaren të qëndronte pranë derës së shtëpisë. Ai ka thënë: “U ngrita për të shkuar te shtëpia e babait tim që është i sëmurë dhe e pashë atë që rrinte te dera. Nuk reagoi fare kur kalova. U habita, por nuk mendova se mund të kishte ndodhur diçka.”
Sipas raportit të mjekut ligjor të Sarandës, viktima është goditur në kokë dhe ka pasur humbje të konsiderueshme gjaku. Trupi i 55-vjeçarit Llazar Tahiraj është dërguar për ekspertizë në Mjekësinë Ligjore në Tiranë.
Elvira Tahiraj pritet të dalë për masë sigurie në gjykatë ditën e enjte.