Anila Denaj, ministrja që po vdes shqiptarët me mandarina me helm

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 23.12.2024, 19:31

Rastet e reja të ngarkesave me mandarina shqiptare të kontaminuara me clorpirifos, një pesticid i ndaluar dhe jashtëzakonisht i rrezikshëm, janë kthyer në një alarm për shëndetin e qytetarëve dhe reputacionin e produkteve tona bujqësore. Sistemi i alarmit RASFF në BE ka njoftuar sërish më 20 dhjetor për praninë e këtij pesticidi në ngarkesa të tjera. Ndërsa qytetarët presin përgjigje, Ministria e Bujqësisë, me një ironi therëse, përpiqet të qetësojë publikun duke deklaruar: “Vetëm 3 kamionë nga 924 janë konstatuar me parregullsi”.

Le të analizojmë “vetëm 3 kamionët” që përmend ministria. Një kamion tipik mund të transportojë rreth 20 ton mandarina. Pra, po flasim për rreth 60 ton produkte të helmuara me pesticide të rrezikshme. Dhe kjo është vetëm ajo që është kapur nga autoritetet europiane, jo ajo që mund të ketë përfunduar në tregun vendas dhe në tryezat e shqiptarëve. A është kjo një arsye për krenari apo një shenjë e dështimit spektakolar të sistemit të kontrollit ushqimor në vend?

Në vend që të shpjegojë masat konkrete që ka marrë për të parandaluar situata të tilla, Ministria e Bujqësisë bën avokatinë e një sistemi të dështuar. Përse analizat e produkteve bujqësore nuk kryhen me rigorozitet para eksportit? Përse nuk ka një kontroll të rreptë mbi përdorimin e pesticideve të ndaluara?

Këto pyetje mbeten pa përgjigje, ndërsa ministrja Anila Denaj dhe stafi i saj duket se janë më të shqetësuar për “imazhin” sesa për sigurinë e qytetarëve. Kur qytetarët shqiptarë konsumojnë produkte të helmuara, a ka ndonjë rëndësi fakti që vetëm disa ngarkesa janë kapur nga BE? Apo duhet të falënderojmë institucionet europiane që kanë zbuluar këto raste, sepse autoritetet shqiptare duken të paafta për ta bërë vetë këtë punë?

E vërteta është se ky rast nuk është i izoluar. Kontrolli mbi përdorimin e pesticideve në Shqipëri ka qenë gjithmonë i dobët dhe shpesh injorohet në emër të interesave ekonomike të një grushti njerëzish. Përgjegjësia për këtë situatë bie mbi Ministrinë e Bujqësisë, e cila, në vend që të mbrojë qytetarët dhe reputacionin e produkteve shqiptare, duket se mbyll sytë ndaj problemeve serioze.

“Vetëm 3 kamionë” nuk është një numër që ngushëllon askënd. Është një shenjë e qartë e mungesës së transparencës dhe përgjegjësisë në menaxhimin e sigurisë ushqimore. Shqiptarët nuk kanë nevojë për statistika boshe dhe justifikime, por për garanci se produktet që konsumojnë nuk përbëjnë rrezik për shëndetin e tyre. Nëse Ministria e Bujqësisë dhe Anila Denaj nuk janë në gjendje ta ofrojnë këtë garanci, atëherë ndoshta është koha të lënë vendin për ata që mund ta bëjnë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit