Një banor i Çermës në Divjakë ka ngritur shqetësimin e tij për vonesën në shpërndarjen e shpërblimeve të fundvitit dhe pensionet për personat me aftësi të kufizuara. Ai thekson se, ndërsa të gjithë pensionistët e tjerë në vend kanë marrë shpërblimin, banorët e kësaj zone ende presin pa asnjë informacion të saktë.
"Kur të gjithë pensionistët kanë marrë shpërblimin e Vitit të Ri, kurse ne në Çermë, sektori Bashkia Divjakë, nuk kanë ardhur akoma shpërblimet për invalidët. Shkon e interesohesh, ata thonë që akoma nuk janë hedhur. Si ka mundësi? Po ikën muaji dhe ende nuk janë hedhur shpërblimet, kurse këta të Çermës thonë që s’kanë hyrë akoma. Kur do hyjnë, kur të vijë viti tjetër?" shprehet qytetari në një mesazh drejtuar redaksisë së JOQ Albania.
Ai shton se kjo situatë po prek rëndë babanë e tij, i cili nuk ka para për të blerë ilaçet. Për më tepër, pensioni po vonohet dhe autoritetet nuk japin një përgjigje konkrete.
"Babi im s’ka lekë për ilaçet, dhe as pensionin nuk e kanë sjellë akoma. Ata gjithmonë e vonojnë një muaj. Kur i pyesim, thonë: 'Mbas Vitit të Ri.' Gjithmonë kështu bëjnë ata," përfundon qytetari.
Ky është një apel i drejtpërdrejtë për institucionet përkatëse që të ndërhyjnë menjëherë për të zgjidhur situatën dhe për të siguruar që pensionistët dhe invalidët të mos përballen me mungesa të nevojave bazë.