Prej tre ditësh, banorët e Selitës së Vogël në Tiranë, përballen me një situatë të paprecedentë për shkak të çarjes së një tubi të ujit të pijshëm.
Një qytetar ka denoncuar këtë problematikë në redaksinë e JOQ Albania, duke treguar se, megjithëse ankesa është bërë disa herë pranë Ujësjellës Kanalizime Tiranë (UKT), ende nuk janë marrë masa për të riparuar defektin.
Në pamjet e dërguara nga qytetari, shihet qartë se si uji shpërthen si shatërvan në mes të rrugës, duke shkaktuar jo vetëm humbje të madhe të ujit të pijshëm, por edhe vështirësi për lëvizjen e këmbësorëve dhe automjeteve në zonë.
Denoncimi i qytetarit:
"Përshëndetje JOQ! Doja të bëja një denoncim për UKT-në. Kemi 3 ditë që denoncojmë prishjen e tubit të ujit të pijshëm dhe na thonë se do ta zgjidhin, por deri tani asgjë nuk është bërë. Kjo është gjendja në Selitë të Vogël, Tiranë."
Situata ngre pikëpyetje të mëdha mbi reagimin e shpejtë dhe efektiv të institucioneve përgjegjëse, sidomos për probleme që ndikojnë drejtpërdrejt cilësinë e jetës së qytetarëve.
Banorët presin një reagim të menjëhershëm për zgjidhjen e këtij problemi dhe marrjen e masave për të parandaluar situata të ngjashme në të ardhmen.
Heshtja dhe neglizhenca nuk janë zgjidhje!