Banaliteti dhe dhuna mes adoleshentëve: A është mbyllja e TikTok zgjidhja?

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 22.12.2024, 19:26

Fenomeni shqetësues i dhunës dhe përdorimit masiv të fjalorit të rrugës mes adoleshentëve shqiptarë po reflektohet qartë në rrjetet sociale.

Në redaksinë e JOQ Albania kanë mbërritur dy video që tregojnë situatën alarmante. Në njërën prej tyre, një adoleshent, gjatë një transmetimi live në TikTok, përballet me komente fyese nga ndjekësit. I detyruar nga presioni dhe tallja publike, ai kalon në fyerje dhe përdor gjuhë banale.

Ndërsa në videon tjetër, një adoleshente ofendon rëndë një bashkëmoshatar duke përdorur fjalor rruge, gjithashtu gjatë një transmetimi live në TikTok.

Këto raste nuk janë të izoluara dhe nuk kemi të bëjmë vetëm me probleme komunikimi mes të rinjve, por është vetëm maja e ajsbergut e një fenomeni që rrënjët i ka të thella.

Ai lidhet drejtpërdrejt me përmasat e rrezikshme që ka marrë dhuna mes të rinjve në Shqipëri, ku jo pak herë kanë ndodhur episode dhune që kanë tronditur opinionin publik, si rasti tragjik i vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani nga bashkëmoshatari i tij pas një sherri pranë shkollës "Fan Noli" në Tiranë.

Kjo situatë ngre pikëpyetje mbi ndikimin e rrjeteve sociale në formimin e të rinjve dhe rolin e institucioneve.

Së fundmi, qeveria shqiptare ka vendosur mbylljen e TikTok-ut për një vit, duke filluar nga janari 2025. Por a është kjo një zgjidhje? Snapchat, një tjetër rrjet i përdorur masivisht nga adoleshentët, vazhdon të shfaqë episode të ngjashme, çka tregon se problemi shkon përtej një platforme të vetme.

Ekspertët theksojnë se problemet burojnë nga mungesa e edukimit, kontrollit prindëror dhe përmbatjet toksike që glorifikojnë dhunën. Në vend të ndalimeve të platformave, kërkohet ndërgjegjësim i thellë dhe masa si: Edukimi për përdorimin e rrjeteve sociale, përfshirja aktive e prindërve në jetën digjitale të fëmijëve, promovimi i përmbajtjeve edukuese dhe ligje të ashpra kundër dhunës online.

Pa këto ndërhyrje, mbyllja e TikTok-ut mund të jetë një zgjidhje e përkohshme, por jo rrënjësore. Adoleshentët kanë nevojë për modele dhe edukim për t'u larguar nga dhuna dhe banaliteti.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit