Mijëra qytetarë u mblodhën sot në sheshin Slavija në Beograd, në një protestë të madhe kundër presidentit populist Aleksandar Vuçiç dhe qeverisë së tij. Protesta, e organizuar nga studentët dhe sindikatat e fermerëve, kërkonte përgjegjësi për shembjen e një strehimi në një stacion hekurudhor në Novi Sad, ku humbën jetën 15 persona më 1 nëntor.
Protesta në kryeqytetin serb, një nga më të mëdhatë e viteve të fundit, nisi me 15 minuta heshtje për viktimat, ndërsa më pas turma brohoriste "I keni duart të lyera me gjak të pafajshmish!"
Shembja në Novi Sad është konsideruar si pasojë e korrupsionit të përhapur dhe punimeve të pakujdesshme në ndërtesën e stacionit hekurudhor, që është rinovuar dy herë gjatë viteve të fundit në projekte të dyshimta me kompani shtetërore kineze. Protestuesit kërkojnë që Vuçiç dhe përgjegjësit të përballen me drejtësinë.
Në mesin e protestuesve ishin edhe aktorë të njohur të teatrit dhe kinemasë, si Bane Trifunoviç, i cili e përshkroi tubimin si “një festival lirie.”
Studentët kanë marrë mbështetje të gjerë edhe nga profesorë, personalitete të mediave, avokatë dhe figura të njohura.
Prokuroria ka arrestuar 13 persona lidhur me tragjedinë në Novi Sad, përfshirë edhe një ministër të qeverisë, lirimi i të cilit ka shtuar skepticizmin publik mbi drejtësinë.
Protestat e vazhdueshme reflektojnë një pakënaqësi të gjerë ndaj sundimit të Vuçiçit, i cili ndonëse pretendon se synon integrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian, akuzohet për kufizimin e lirive demokratike.
Opozita ka propozuar krijimin e një qeverie tranzitore për të përgatitur zgjedhje të lira dhe të ndershme, duke theksuar se zgjedhjet e kaluara janë manipuluar.
Qeveria serbe ka vendosur të zgjasë pushimet dimërore të shkollave, ndërkohë që protestat e studentëve janë zgjeruar, duke përfshirë edhe nxënës të shkollave të mesme. Në disa raste, janë shënuar përplasje, kur persona pro-qeveritarë kanë tentuar të pengojnë protestat.
Një grup fermerësh ka denoncuar policinë për sekuestrimin e një traktori që ata kishin sjellë në Beograd për protestën.