Një shqiptar ka shpëtuar një punëtor 17-vjeçar që po binte nga 10 metra lartësi, duke e pritur me duart e tij. Ngjarja ka ndodhur në qytetin Mulhouse, Francë, dhe është cilësuar si një mrekulli nga mediat vendase.
Redi Rrjolli, i shoqëruar nga gruaja dhe djali i tij 14-muajsh, kishte dalë nga banesa rreth orës 15:00 të dielën, më 15 dhjetor, për të bërë pazar. Ndërsa po kalonin pranë disa skelave ndërtimi, një punëtor humbi ekuilibrin dhe ra aksidentalisht nga lartësia.
Rrjolli reagoi instinktivisht, hapi krahët dhe arriti të zbusë rënien e 17-vjeçarit, duke i shpëtuar jetën. Persona të tjerë që ndodheshin aty i erdhën menjëherë në ndihmë.
Punëtori shpëtoi pa dëmtime serioze, ndërsa Rrjolli pësoi disa lëndime të lehta në krahë për shkak të peshës së punëtorit. Fatmirësisht, dëmtimet nuk rezultuan shqetësuese.
Ky akt shpëtimtar u përshëndet nga kryebashkiaku i Mulhouse, policia dhe zjarrfikësit, të cilët falënderuan shqiptarin për guximin dhe humanizmin e treguar.