Garda Civile dhe Policia Kombëtare Spanjolle kanë arrestuar pesë persona të dyshuar si pjesë e një grupi kriminal shqiptar, të akuzuar për kryerjen e 13 grabitjeve në banesa në të gjithë Spanjën.
Grupi operonte kryesisht në Salou, në provincën Tarragona, por më pas veprimtaria e tij u shtri në provincat Alicante, Murcia, Madrid, Toledo, Granada dhe Jaén, ku realizoheshin grabitjet. Hetimet zbuluan se sendet e vjedhura fshiheshin në një kasafortë, e cila u sekuestrua gjatë operacionit dhe përmbante bizhuteri të vjedhura dhe 21,800 euro në para të gatshme.
Hetimi kishte nisur në nëntor të vitit të kaluar, pasi u vunë re grabitje të ngjashme në disa banesa. Hetuesit identifikuan automjetin që përdorej për largimin nga vendngjarjet, i cili ishte i regjistruar në Itali dhe i marrë me qira nga një kompani.
Ky informacion çoi në identifikimin e anëtarëve të grupit, të gjithë me kombësi shqiptare, dhe në lokalizimin e tyre në Tarragona. Në një operacion të koordinuar, pesë të dyshuarit u arrestuan dhe u sekuestruan bizhuteri, aksesorë, telefona celularë, pajisje transmetimi dhe mjete për vjedhje.