Detaje të reja janë zbardhur nga sulmi terrorist që ka ndodhur në tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg, Gjermani, ku një makinë ka përplasur një turmë, duke shkaktuar vdekjen e 4 personave, përfshirë një fëmijë, dhe plagosjen e 205 personave, 41 prej të cilëve në gjendje të rëndë.
Ngjarja ndodhi pak pas orës 19:00 dhe, si pasojë, tregu u mbyll dhe trafiku i tramvajit u ndal. Policia ka arrestuar një person, një 50-vjeçar nga Arabia Saudite, i cili kishte mbërritur në Gjermani në vitin 2006 dhe ka punuar si mjek në fushën e psikoterapisë.
Hetimet janë duke u zhvilluar, dhe hetuesit thonë se ka qenë një autor i vetëm. Dyshohet se ai ka marrë me qira makinën që përdori për të kryer sulmin, dhe ende nuk janë gjetur prova për një makinë të dytë që mund të lidhej me ngjarjen.
I dyshuari është identifikuar si një aktivist islamofob, i cili e përshkruan veten si ish-musliman dhe ka shprehur kritika ndaj autoriteteve gjermane dhe shqetësime për islamizimin e Gjermanisë. Ai ka mbështetur gratë saudite që arratisen nga atdheu i tyre dhe ka shprehur simpatinë për partinë ekstremiste të djathtë AfD. Ai ka paralajmëruar publikisht kundër kërkimit të azilit në Gjermani, dhe një burim i brendshëm saudit ka raportuar se autoritetet saudite kishin paralajmëruar Gjermaninë për të dyshuarin.