Pornhub, faqja më e madhe e pornografisë në botë, pritet të ndalohet në 13 shtete të SHBA-ve, ndërsa disa prej tyre tashmë e kanë bllokuar aksesin. Vendimi vjen pas zbatimit të rregulloreve të reja për verifikimin e moshës dhe masave të sigurisë online.
Shteti më i fundit që ka miratuar ligjin për bllokimin e Pornhub është Florida, ku më 18 dhjetor u miratua ligji HB 3. Ky ligj detyron verifikimin e moshës për përdoruesit që përpiqen të hyjnë në faqe pornografike dhe parashikon gjoba deri në 50,000 dollarë për faqet që nuk zbatojnë rregullat. Ligji hyn në fuqi më 1 janar 2025.
Guvernatori i Floridës, Ron DeSantis, ka mbrojtur ligjin duke deklaruar: “Fëmijët mund të jenë në shtëpi të sigurt, por predatorët dinë si të manipulojnë këto platforma. Ne duhet të marrim masa për të mbrojtur të miturit.”
Shtetet që tashmë kanë bllokuar Pornhub përfshijnë: Kentucky, Indiana, Idaho, Kansas, Nebraska, Texas, North Carolina, Montana, Mississippi, Virginia, Arkansas dhe Utah.
Kompania mëmë e Pornhub, Aylo, ka kritikuar rregulloret e reja duke deklaruar se ato rrezikojnë privatësinë e përdoruesve. Në një deklaratë, kompania theksoi: “Rregulloret që detyrojnë faqet e rritura të mbledhin të dhëna sensitive personale kërcënojnë sigurinë e përdoruesve. Përdoruesit do të gjejnë mënyra për të anashkaluar këto ligje ose do të aksesojnë faqe që nuk respektojnë rregulloret.”
Ndërkohë, raporti vjetor i Pornhub për vitin 2024 zbuloi se grupmosha 18-24 përbënte 27% të trafikut në faqen e tyre, ndërsa grupmosha 25-34 përfaqësonte 24%. Këto dy grupmosha së bashku përbëjnë më shumë se gjysmën e vizitorëve të faqes, edhe pse në vitin 2024 trafiku nga grupmosha mbi 35 vjeç u rrit me 2%.