Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pak më parë në qytetin Magdeburg të Gjermanisë, ku një makinë ka përplasur një turmë njerëzish në një treg Krishtlindjesh.
Sipas raportimeve, të paktën një person ka humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur.
Shoferi i dyshuar i makinës është arrestuar nga policia, konfirmoi një zëdhënës i qeverisë për MDR.
Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale tregojnë momentin kur makina vjen me shpejtësi dhe përplas turmën e njerëzve. Shërbimet e emergjencës kanë mbërritur në vendngjarje.
Autoritetet lokale kanë bërë të ditur se tregu është mbyllur dhe aktualisht po zhvillohet një “operacion i gjerë policor” për të siguruar zonën dhe hetuar ngjarjen.
Kjo ngjarje ka tronditur qytetarët dhe ka ngritur shqetësime për sigurinë në ngjarjet publike gjatë festave të fundvitit.
Nuk dihet nëse kemi të bëjmë me një ngjarje aksidentale apo me një sulm të mundshëm terrorist.