“Të merren masa të menjëhershme”, “Albpetrol” fajësohet për ndotjen në Patos- Marinzë

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 20.12.2024, 20:01

Pas një hetimi dyvjeçar mbi ndotjen në zonën e Patos-Marinzës, zyra e Avokatit të Popullit ka fajësuar shoqërinë “Albpetrol” për ndotjen mjedisore dhe rrezikun që i shkakton shëndetit të banorëve, duke kërkuar hetime penale për institucionet përkatëse.

Puset e naftës të shoqërisë shtetërore "Albpetrol" në këtë zonë kanë paraqitur një rrezik të madh për mjedisin, tokën bujqësore, ujërat dhe shëndetin e banorëve, ndërsa autoritetet shtetërore kanë dështuar të ndërmarrin masa dhe kanë toleruar paligjshmërinë dhe ndotjen.

Dokumenti i Avokatit të Popullit, i titulluar "Rekomandim për marrjen e masave të menjëhershme për mbrojtjen e shëndetit dhe mjedisit në zonën e Patos-Marinzës", i drejtohet disa institucioneve, përfshirë Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencinë Kombëtare të Mjedisit dhe të tjerë. Avokati i Popullit kërkon hetim penal për përgjegjësit e ndotjes dhe ndërhyrje urgjente për mbrojtjen mjedisore. Raporti përshkruan situatën alarmante të ndotjes dhe fajëson autoritetet për dështimin në monitorimin e aktivitetit të "Albpetrol" dhe për tolerimin e paligjshmërisë për një periudhë të gjatë.

…situata e ndotjes ka arritur në nivele alarmante, duke u kthyer në një shqetësim jetik për banorët,” thuhet në raport. “Njësitë e qeverisjes vendore, në bashkëpunim me autoritetet qendrore për mjedisin, kanë dështuar në menaxhimin e situatës…”

Raporti thekson se masat e marra deri tani, kryesisht gjobat, kanë qenë të pamjaftueshme dhe joproporcionale me ndotjen dhe paligjshmërinë, që lidhen me shkarkimin e ujërave të ndotura me hidrokarbure.

Avokati i Popullit kërkon një hetim të menjëhershëm për përgjegjësitë e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit dhe Agjencisë Rajonale të Mjedisit për shpërdorimin e detyrës, bazuar në nenin 248 të Kodit Penal. Po ashtu, raporti kërkon masa urgjente nga Ministritë e Mjedisit dhe të Infrastrukturës për rehabilitimin e mjedisit në Patos-Marinzë, pezullimin e lejes mjedisore të “Albpetrol” dhe vënien e kësaj kompanie para përgjegjësisë për rehabilitimin e zonës dhe ndalimin e shkarkimeve të ujërave të ndotura.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit