Nëse kishte ende ndonjë iluzion se “Drejtësia e Re” funksionon siç duhet, vendimi i fundit i GJKKO e shkatërroi plotësisht: të akuzuarit mund të jenë të shumtë, por të dënuarit mbeten gjithmonë të paprekshmit. Gjykata e Posaçme, me drejtues Erjon Bani, ka mbyllur paq çështjen për tenderin prej 1.5 miliardë lekësh të Ujësjellësit të Tiranës, duke shpallur të pafajshëm tre ish-zyrtarët e akuzuar nga SPAK, ndërsa një biznesmen ka marrë një dënim simbolik.
Ledia Ramo, Ortjon Dhami dhe Engjëll Dedja, sipas SPAK, kishin favorizuar kompaninë “W Center sh.p.k” të Bledar Shemajt, duke ndryshuar kriteret e tenderit për të siguruar “fitoren” e tij. Por GJKKO, në stilin e saj tashmë të njohur, vendosi që “s’ka prova të mjaftueshme”. Dhe kështu, drejtësia u kthye në një lojë ku një palë bën akuzat dhe tjetra shpall të pafajshmit, ndërsa publikun e lënë të ndjekë këtë tragjikomedi.
Biznesmeni Shemaj, i vetmi që mori ndonjë pasojë, do të jetë në “provë” për 8 muaj, duke premtuar të mos kryejë më ndonjë vepër penale – një kusht që më shumë ngjan si një tallje përpara zullumit të bërë.
Ndërkohë, reforma në drejtësi, me gjithë bujën e saj, duket se ka mbetur vetëm një skenë e bukur, ku vendimet e mëdha merren për të mos prekur të mëdhenjtë. Akuzat janë të fuqishme, hetimet janë të gjata, por dënimet mbeten gjithmonë për ata që s’kanë mbështetje të fuqishme. Drejtësia? E dyfytyrshme. Shfaqja? E përhershme. Publiku? I lodhur.