Mbifaturim i energjisë elektrike nga Operator i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), është një problematikë e vazhdueshme dhe që shkakton pakënaqësi të mëdha te shqiptarët.
Sipas ankesave të shumta, fatura e energjisë nuk pasqyrojnë konsumimin real, pasi OSHEE bën plotësimin e faturave pa kontrolluar saktësisht numrat e sahatëve dhe mbi të gjitha duke dërguar të njëjtat shuma për muaj të tërë sikur të mos ketë pasur fare ndryshime në konsum.
Një qytetar ka deklaruar se për tre muaj radhazi ka marrë faturat me të njëjtën shumë, 8330.8 lekë pa pasur ndonjë ndryshim në përdorimin e energjisë.
Ai thotë se ky është një faturim i tepruar pasi jo të gjithë mund të përballojnë këto tarifa. Sipas tij ky fenomen është i përhapur kudo pasi edhe qytetarë të tjerë kanë raportuar të njëjtën situatë në bisedat e tyre.
Përveç shqetësimit të mbifaturimit, qytetarët kanë ngritur shqetësime për procedurën e ankesave, pasi për të paraqitur një kërkesë për rishikim, ata duhet të vizitojnë personalisht zyrat e OSHEE, duke shkaktuar humbje kohe dhe shpenzime të tjera, përfshirë mundësinë e humbjes së ditëve të punës.
Qytetarët kërkojnë një zgjidhje të shpejtë dhe të drejtë për situatën pasi nuk mund të paguajnë fatura që nuk i korrespondojnë shpenzimeve që kanë kryer.
Denoncimi i qytetarit:
Pershendetje. Dua te bej nje denoncim per OSHE-ne. U beni disa muaj qe sjellin fatura te mbifaturuara. Nuk vjen njeri me pa numrin e sahatit por vetem faturojne sipas mendjes se tyre. Tre muajt e fundit me kan faturuar te njejten sasi me pik e presje. Kjo pastaj na detyron te mos paguajm dot nga shumat e teperta qe na sjellin.
Tek posta ku bej pagesat kam biseduar edhe me persona te tjere dhe e njeta gje ka ndodhur edhe me te tjeret. Mir mbifaturimi por duhet te lej edhe diten e punes qe te shkoj te zyrat e tyre per te bere ankese. Dy her shpenzime.