Mbi 1 milion shqiptarë vuajnë nga një formë e rëndë e varfërisë

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 20.12.2024, 10:07

Sipas të dhënave të fundit të Institutit të Statistikave (INSTAT), më shumë se 1 milion shqiptarë po përjetojnë një formë të rëndë të varfërisë.

Ky fenomen prek 42.1% të popullsisë, një shifër alarmante që tregon një rrezik të lartë për përjashtim social dhe privim material. Ky tregues, i njohur si AROPE (Rreziku për të qenë i varfër ose përjashtimi social), mat individët që janë thellësisht të privuar materialisht ose që jetojnë në kushte të vështira ekonomike, si në familje me intensitet të ulët punësimi.

Për të parë më konkretisht situatën, 1 milion shqiptarë jetojnë në familje që nuk mund të përballojnë të paktën shtatë nga trembëdhjetë kategoritë e privimit. Këto vështirësi përfshijnë pamundësinë për të paguar shërbime bazë, për të mbajtur shtëpinë ngrohtë, për të bërë pushime vjetore ose për të blerë ushqime të shëndetshme.

Sipas Eurostat, Shqipëria ka përqindjen më të lartë në Europë të popullsisë që rrezikon varfërinë, duke lënë pas vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor si Mali i Zi (34.1%) dhe Maqedonia e Veriut (32.6%). Ndërsa në Bashkimin Europian, rreth 21.4% e popullsisë është në rrezik varfërie.

Ky raport tregon se varfëria është një problem serioz që kërkon ndërhyrje të shpejtë dhe të qëndrueshme për të përmirësuar kushte jetese dhe për të reduktuar pabarazitë ekonomike në Shqipëri.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit