Seanca e fundit parlamentare është shoqëruar me tensione dhe përplasje fizike mes deputetëve të opozitës, teksa deputeti Agron Shehaj kërkonte llogari për koncesionin e rrugës Thumanë-Kashar. Shehaj qëndroi për më shumë se dy orë në foltoren e Kuvendit, duke kërkuar përgjigje nga ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, për projektin që ka ngjallur debate të shumta për shkak të kostos së lartë prej qindra milionë eurosh.
Pas përjashtimit nga kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, dhe ndërprerjeve të përsëritura të seancës, situata u agravua nga ndërhyrjet e deputetëve të Partisë Demokratike. Deputeti Flamur Noka e largoi me forcë Shehajn nga foltorja, duke e akuzuar se po shërbente interesave të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Gjithashtu, Gazment Bardhi, një tjetër deputet i PD-së, e quajti Shehajn “zhele të Veliajt”, duke e akuzuar se po përdorej për interesa të grupeve brenda Partisë Socialiste.
Përplasja kulmoi me një incident fizik, ku Noka i rrëmbeu telefonin Shehajt dhe e shtyu jashtë sallës, duke nxitur kritika të ashpra nga vetë Shehaj. "Atë që nuk e bëri mazhoranca, e bëri një përfaqësues i opozitës," deklaroi ai në një video të ndarë në rrjetet sociale.
Ndërkohë, socialistët qëndruan të heshtur gjatë incidentit, duke mos ndërhyrë në protestën e Shehajt. Situata i dha kohë ministres Balluku të ndiqte seancën pa presion, edhe pse ajo ka shmangur për muaj të tërë dhënien e përgjigjeve për këtë projekt të kontestuar.
Nga janari, rruga Thumanë-Kashar do të bëhet me pagesë, me tarifa që variojnë nga 2.1 euro për automjetet e vogla deri në 9 euro për ato të tonazhit të rëndë. Për këtë koncesion, kompania Gener 2, në pronësi të Bashkim Ulajt, do të përfitojë rreth 1.3 miliardë euro në një periudhë afatgjatë, ndërsa shteti ka garantuar 22.8 milionë euro në rast se të ardhurat nuk plotësojnë pritshmëritë.