Mandarinat me origjinë nga Shqipëria kanë rezultuar me mbetje të pesticideve të rrezikshme, Chlorpyrifos dhe Phosmet, substanca të ndaluara për përdorim në Bashkimin Evropian pasi paraqesin rreziqe serioze për shëndetin e njeriut.
Ky alarm i ngritur nga Sistemi Evropian i Sigurisë Ushqimore (RASFF), i cili ka informuar për praninë e këtyre pesticideve mbi nivelet e lejuara në mandarinat, ka shkaktuar shqetësim në shumë vende të tjera.
Ditën e sotme, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) e Kosovës ka njoftuar se po monitoron ngarkesat e mandarinave që vijnë nga Shqipëria dhe të gjitha ngarkesat e mandarinave do qëndrojnë në Pikat e Kontrollit Kufitar deri sa të dalin rezultatet e analizave.
Pas alarmit të lëshuar nga RASFF dhe analizave të kryera, Kroacia, Republika Çeke, Italia dhe Lituania kanë refuzuar kamionët me mandarina nga Shqipëria. Ngarkesat e testuara rezultuan me mbetje të pesticideve 3 deri në 12 herë më të larta se kufiri i lejuar nga rregulloret e BE-së, të ndryshuara në shtator 2023. Chlorpyrifos është një pesticid i ndaluar në BE që nga viti 2020, pasi shkakton dëmtime të rënda në trurin e fëmijëve, sistemin nervor dhe endokrin, si dhe rrit rrezikun për kancer dhe sëmundje kardiovaskulare. Ndërsa Phosmet, gjithashtu i ndaluar, është toksik dhe ndikon në funksionimin normal të trupit të njeriut.
Deri më tani, Ministria e Bujqësisë së Shqipërisë ka njoftuar se tre ngarkesa me mandarina 'Clementine' të eksportuara nga subjektet grumbulluese ushqimore në Berat dhe Fier janë identifikuar me përmbajtje të pesticideve, por ende nuk ka informacion nëse këto pika grumbullimi kanë shitur edhe te shqiptarët mandarina të tilla.