Polici në Gjirokastër shkel urdhrin e mbrojtjes, i vjedh ish-bashkëshortes 5 mln lekë

Shkruar nga: Selma Hilaj | Publikuar më: 19.12.2024, 11:40

Një punonjës policie në Komisariatin e Policisë Gjirokastër është arrestuar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, nën dyshimin për disa vepra penale. Ngjarja u bë e ditur pasi ish-bashkëshortja e tij e denoncoi për shkelje të urdhrit të mbrojtjes dhe për hyrje të paautorizuar në banesën e saj. Sipas kallëzimit, ai dyshohet se ka marrë një valixhe ku ndodheshin 5 milionë lekë.

Pas denoncimit, nisën hetimet dhe gjatë kontrolleve në banesën e kunatit të tij, u gjet valixhja e raportuar dhe një portofol me një shumë prej 8,000 eurosh. Të dyja u sekuestruan dhe do të përdoren si prova materiale.

Në vijim të hetimeve, u krye një kontroll edhe në banesën e tij në qytetin e Gjirokastrës. Aty u zbuluan dhe u sekuestruan 287 fishekë pistolete të tipit TT, një dorezë metalike, një krehër me 7 fishekë dhe një palë pranga.

Punonjësi i policisë tani përballet me akuzat për “Vjedhje,” “Dhuna në familje,” “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municioneve,” si dhe për “Prodhimin, mbajtjen, blerjen apo shitjen pa leje të armëve të ftohta.” Rasti vijon të hetohet për të sqaruar të gjitha rrethanat dhe për të mbledhur prova të tjera që lidhen me veprimtarinë e dyshuar të tij.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit