Aplikimet për kreditë e buta për shtëpi peng i e-Albania, portali qeveritar në kaos

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 19.12.2024, 11:37

Ditën e djeshme Bashkia e Tiranës ka hapur aplikimet për fazën e parë të programit të subvencionimit të kredive me interes të ulët, i cili do të jetë në dispozicion deri më 13 janar.

Përfitues të këtij programi janë çiftet e reja deri në 40 vjeç, gratë kryefamiljare, individët dhe familjet e komunitetit rom dhe egjiptian, si dhe gratë e dhunuara dhe aplikimet do të realizohen online përmes portalit qeveritar “e-Albania” brenda një periudhe 30-ditore nga data e njoftimit të hapjes së thirrjes.

Por kur e-Albania nuk funksionon prej më shumë se një muaji si do kryhen këto aplikime?

Një çift i ri që e ka të pamundur blerjen e një apartamenti me çmimet aktuale të tregut, i është drejtuar programit të bashkisë për një kredi me interes të ulët, ose kredi e butë siç njihet ndryshe. Por duke qenë se e-Albania është në kaos të vazhdueshëm prej disa kohësh, ata e kanë të pamundur të kryejnë procedurat për aplikimin.

Ata i janë drejtuar redaksisë për të denoncuar këtë problematikë pasi e-Albania, portali qeveritar për mirëmbajtjen e të cilit shpenzohen miliona lekë nga xhepat e shqiptarëve, po i privon nga aplikimi për kredi dhe më pas një shtëpi.

Kjo nuk është hera e parë që e-Albania "pengon" punët e shqiptarëve dhe detyrimet e tyre, pasi nuk funksionon as për t'u regjistruar e hyrë, e jo më për të kryer shërbime të tjera ashtu siç reklamohet dhe duhet të jetë.

Denoncimi:

"Përshëndetje, po mundohem të aplikoj për kredinë e butë për çiftet e reja që ka hapur Bashkia e Tiranës, por sistemi në "e-Albania" nuk funksionon. Edhe pse kam provuar disa herë, çdo herë që bëj aplikimin, nuk është realizuar. Kjo ka ndodhur që nga momenti që janë shpallur aplikimet. Ju lutem, a mund të bëni diçka për këtë çështje, se është shumë e rëndësishme për ne".

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit