Një ngjarje shqetësuese ka ndodhur pranë Shkollës së Mesme të Bashkuar në Krrabë, ku një 42-vjeçar kërcënonte dhe përndiqte nxënës të kësaj shkolle.
Sipas burimeve, personi me inicialet A. B., banues në Tiranë, ka kanosur disa nxënës nga klasa e 9-të deri në klasën e 12-të, gjatë rrugës së tyre për në shkollë.
Ai u kap pranë shkollës, ku iu bë një kontroll fizik. Gjatë kontrollit, u konstatua se i dyshuari mbante me vete një thikë, e cila dyshohet se përdorej për të kërcënuar nxënësit.
Në përfundim të veprimeve hetimore të para, 42-vjeçari u arrestua në flagrancë. Materialet procedurale u referuan Prokurorisë për veprat penale “Kanosja” dhe “Përndjekja”. Hetimet mbi rastin po vijojnë për të sqaruar të gjitha rrethanat.
Kjo ngjarje vjen në një kohë kur siguria në shkolla është në ditët e saj më të këqija dhe pas një rasti që rezultoi deri në fatalitet.