Detaje të reja janë zbardhur nga atentati me armë zjarri që ndodhi mbrëmjen e sotme në lagjen "24 Maji" të Vlorës, e njohur ndryshe si lagja "Cole".
Raportohet se persona të paidentifikuar kanë qëlluar me breshëri plumbash në drejtim të një mjeti tip Benz ku ndodhej 29-vjeçari Kevin Hajrulla, i cili dyshohet të ketë qenë objektivi i atentatorëve.
Nga të shtënat ka mbetur i plagosur edhe 35-vjeçari A.S, i cili ishte kalimtar i rastit.
Policia e Vlorës raporton se të plagosurit janë transportuar drejt spitalit, por nuk ka informacion mbi gjendjen e tyre shëndetësore.
Ndërkohë, është gjetur një automjet i djegur, i cili dyshohet se është përdorur nga autorët.
Njoftimi i policisë:
Vlorë/ Informacion paraprak
Mbrëmjen e sotme, rreth orës 21:30, në lagjen “24 Maji”, Vlorë, në rrethana ende të paqarta, është plagosur me armë zjarri shtetasi K. H., rreth 30 vjeç, i cili udhëtonte me një automjet tip “Benz”. Si pasojë e të shtënave, është plagosur me armë zjarri edhe shtetasi A. S., 35 vjeç, i cili ndodhej në afërsi në momentin e ngjarjes.
Të dy personat janë transportuar menjëherë në Spitalin Rajonal Vlorë dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve.
Gjatë krehjes së zonës në afërsi të fshatit Panaja, është bërë i mundur lokalizimi i automjetit të dyshuar të përdorur nga autorët, i cili është përfshirë nga flakët. Po punohet për shuarjen e zjarrit.
Shërbimet e Policisë kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe po punojnë intensivisht për identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve të dyshuar.
Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e rrethanave të plota të ngjarjes.