Real Madrid kurorëzohet kampion bote për klube, fiton Kupën Interkontinentale

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 18.12.2024, 20:31

Pas një viti të suksesshëm ku fituan La Ligën, Champions League, dhe Superkupën Europiane, Real Madrid ka siguruar edhe trofeun e parë të Kupës Interkontinentale të FIFA-s (FIFA Intercontinental Cup), ku mposhtën në finale ekipin meksikan, Pachuca, me rezultatin 3-0.

Skuadra latine arriti të rezistonte për më shumë se 30 minuta, por klasi i madrilenëve doli në pah. Vinícius Júnior, me një lëvizje elegante, i dha mundësinë Kylian Mbappé të hapte serinë e golave në minutën e 37-të.

Në pjesën e dytë, Rodrygo, me një aksion të shkëlqyer individual, gjeti hapësirën e duhur dhe shënoi një gol spektakolar nga jashtë zone.

Në minutën e 84-t, Lucas Vázquez u ndal në mënyrë të parregullt brenda zonës nga mbrojtësi Oussama Idrissi. Pas konsultimit me VAR-in, arbitri akordoi një penallti, të cilën Vinícius e ktheu në gol.

Pachuca pati një shans për të ngushtuar rezultatin në minutat e fundit të ndeshjes, por goli u anulua për pozicion jashtë loje.

Ndeshja u luajt në stadiumin "Lusail" në Doha të Katarit, aty ku 2 vjet më parë u luajt finalja e Kupës së Botës "Katar 2022".

Kupa Ndërkontinentale e FIFA-s është një kompeticion i ri përfshin 6 ekipet fituese të kampionateve më të rëndësishme kontinentale për klube në botë. Me këtë sukses të fundit, Real Madrid vazhdon të shkruajë historinë si klubi më i madh në futbollin botëror.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit