Një qytetar me inicialet S.O., me urdhër të Prokurorisë së Beratit, është arrestuar pasi ka ngacmuar seksualisht një të mitur.
Më 25 nëntor, i mituri me inicialet A.Gj., ka bërë kallëzim penal ndaj këtij personi, duke e denoncuar se e ka kapur dhe çjerrë nga dora, por më pas i është afruar babai dhe e ka larguar prej tij.
Gjatë hetimeve u krye një ekspertizë mjekoligjore, që konfirmoi se i mituri kishte pësuar dëmtime të shkaktuara nga një mjet i fortë mprehtë. Babai i të miturit, i cili u pyet në lidhje me ngjarjen, deklaroi se i biri e kishte telefonuar dhe i kishte thënë se po e ndiqte një burrë. Sakaq, ai doli menjëherë nga banesa dhe shkoi drejt djalit.
Gjithashtu, organi i procedimit ka shqyrtuar pamjet filmike, ku i mituri kthehet për të parë kush po e ndiqte dhe aty shfaqet i akuzuari. Pas analizimit të provave të mbledhura, u arrit në përfundimin se ekzistonin dyshime të arsyeshme se i akuzuari kishte kryer veprën penale të "Ngacmimit seksual".
Për këtë arsye, Prokuroria vlerësoi se ishte e nevojshme ndalimi i menjëhershëm i të akuzuarit, ppasi ekzistonte rreziku që shtetasi të largohej dhe t’i shmangej hetimit.
Gjithashtu, kjo masë synon edhe parandalimin e ngjarjeve më të rënda si dhe garanton interesin më lartë të fëmijës së mitur. Prokuroria kërkon që masa e dënimit të jetë jo më pakë se katër vjet në maksimum, pasi vepra në rastin konkret dënohet në maksimumin e saj me 7 (shtatë) vjet burgim.